Robert Lewandowski është prezantuar sot nga Barcelona në SHBA në një konferencë për shtyp ku në fakt nuk janë lejuar pyetjet nga gazetarët.
Joan Laporta u paraqit para mediave me sulmuesin polak, i cili ka treguar emocionet e para si katalanas, ndërsa e ka nisur duke folur në spanjisht. “Quhem Robert, jam polak dhe jetoj në Barcelonë”, ishin fjalët e tij në spanjisht, para se të fliste më pas në anglisht.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. U bë një punë e madhe për t’iu bashkuar Barcelonës. E di që kemi shumë punë para nesh, por dje pashë potencialin e madh që kemi dhe jam i përgatitur që të bëhem pjesë e këtij klubi, që ka një histori të pabesueshme, por që ka edhe një projeksion të madh drejt të ardhmes.
Në ditët e fundit kam mundur të bëj ndonjë seancë stërvitore, por jam gati të hyj në dinamikën e ekipit dhe shpresoj të luaj që në ndeshjen e ardhshme.
Çdo gjë që ka ndodhur në ditët e fundit ka qenë e pabesueshme për mua, por kjo është pjesë e futbollit, që ecën shumë shpejt. Si sulmues, shpresoj që të shënoj gola dhe të bëj çdo gjë të mundur që të fitojmë ndeshje, Ky është objektivi im i ri, në botën e futbollit duhet të kesh dëshirë për të fituar dhe jam në vendin më të mirë të mundshëm për ta bërë një gjë të tillë”, tha polaku në prezantimin e tij zyrtar.
Ndeshja e radhës të cilës i referohej polaku, është miqësorja ndaj Real Madrid që do të zhvillohet në SHBA më datë 24 korrik.