Transferimi i Robert Lewandowski-t nga Bayern Munich te Barcelona ka qenë një nga goditjet e bujshme, nëse jo më e bujshmja, e kësaj vere në merkaton e futbollit.
Tani ka ardhur koha e zgjedhjes së numrit dhe duket se sulmuesi polak do të mbajë fanellën me numrin 9. Këtë e ka zbuluar Sport, që ka shpjeguar se në kontratën e lojtarit është përfshirë një klauzolë që përcakton numrin e fanellës që do të mbajë.
Kështu, Lewa do të mbajë një numër që dallon qendërsulmuesit dhe do ta bëjë pavarësisht Memphis Depay-t, i cili është mbajtësi i numrit për momentin.
Sipas së përditshmes spanjolle, klubi blaugrana duket se ka bërë disa llogaritje duke parashikuar se mund të arkëtojë të paktën 20 milionë euro nga shitja e fanellave të ish-yllit të Bayern-it.
Tani mbetet vetëm një gjë për t’u bërë: të bindet holandezi që t’ia lërë fanellën shokut të ri të skuadrës. Barcelona duket optimiste dhe nuk përjashtohet që një nga rrugët që mund të ndiqen për të liruar numrin 9 të jetë ajo e shitjes së lojtarit, i cili duket se nuk bën më pjesë në planet e klubit.