Dybala është Sivori i ri, atë kujtohet, Fabio? “Si jo, kur ai mbërriti te Juve nga Palermo. Por janë të pakrahasueshëm, – thotë në telefon nga Marbella trajneri i njohur italian, Capello. – Dybala është shumë cilësor, ka fantazi. Nëse është mirë fizikisht bën diferencën si pak të tjerë në botë. Por Sivori ishte Messi i atyre viteve. Një gjeni. Kur lexoj se dikush i afrohet Messit, më vjen të shqyej gazetën. Messi është i paarritshëm”.
Kështu, ish-trajneri i Romës, Fabio Capello, analizoi rëndësinë e vendimit të Paulo Dybala për t’iu bashkuar verdhekuqve, në një intervistë të fundit për “Corriere dello Sport”:
“Ai është nënshkrimi perfekt për Mourinhon, në mënyrë që të rrisë nivelin e ekipit dhe të ndihmojë Romën në ambiciet e saj. Dybala është gjithashtu një nënshkrim i mrekullueshëm për tifozët.
Në vitin e tij të parë, José fitoi Ligën e Konferencës dhe i solli pak lavdi evropiane futbollit Italian. Tani ai duhet të synojë një vend në top katërshe të Serie A.
Ai nuk është tipi për të synuar poshtë. Duhet të jetë i kënaqur, sepse e di rrugën për të fituar. Nuk është rastësi që ai arriti të ushtrojë presionin që i duhej në klub, duke marrë atë që kërkonte”.
Fabio Capello flet edhe për Juventusin, duke e bërë të qartë se për trajnerin Allegri nuk ka më asnjë justifikim: “Për Allegrin, fitorja është detyrim. Allegri e pranoi se Juventusi e ka për detyrë të fitojë titullin, kjo është e drejtë. Ai nuk mund të fshihet më, sepse ka në dispozicion lojtarët perfektë për futbollin dhe idetë e tij. Cilësi dhe eksperiencë”.
“Don Fabio” më pas tha fjalën e tij për Napolin: “Spalletti ka detyrën më të vështirë. Ai humbi Koulibaly, i cili i jepte siguri të gjithë skuadrës, por dhe asistet e golat e Insigne. Megjithatë, Napoli më intrigon. Kim është thelbësor dhe ka në lëvizje diçka nga Salah i parë”.