Real Madrid është mundur në “El Clasico” në Las Vegas, në miqësoren përballë Barcelonës.
Shifrat 1-0 për katalanasit gjithsesi nuk ulin entuziazmin e Karlo Ançelotit, i cili pavarësisht disfatës, ka siguruar se ka një ekip më të fortë se ai që kishte fituar titullin kampion e Ligën e Kampioneve në edicionin e kaluar.
Shumëkush gjatë ndeshjes mbeti io çuditur kur pa një nga afrimet më të bujshme të verës, Rudiger, teksa luante si mbrojtës i majtë, ndërsa dihet se ai është i djathtë natyral. Zgjedhje të cilën Ançeloti e saktësoi si të menduar dhe jo shpikje të momentit.
“Mua më pëlqeu shumë. Nuk jam i çmendur dhe ai është shumë inteligjent. Mund të luajë në këtë pozicion, ashtu si edhe të ndërrojë vendet me Alaba gjatë ndeshjes. Sot nuk e bënë këtë gjë pasi ndjeheshin mirë. Alaba do të luajë i majtë vetëm kur të jetë e nevojshme. Nuk dua të ndryshoj dyshen e qendrës të vitit të kaluar”, shpjegoi trajneri që e sheh kështu Rudiger edhe si një të majtë të mundshëm në rreshtimin e tij.
“A duhet një sulmues? Skuadra është e mbyllur dhe është më e mirë se në vitin e kaluar. Kanë ardhur dy të rinj që do të sjellin shumë gjëra. Janë 27 lojtarë, janë shumë dhe t’i stërvitësh nuk është e lehtë, por ata që kam në dispozicion janë inteligjentë dhe e kuptojnë vështirësinë që kam.
Benzema? Nëse do të mungojë, do të mungojë më i miri në botë, nuk ekziston askush që mund ta zëvendësojë. Por do të hedhim në fushë një emër tjetër, do të luajmë me 11 lojtarë”, tha duke qeshur Ançeloti.