La Fiorita duket se i ka humbur krejt shpresat për ta përmbysur rezultatin ndaj Ballkanit, në rrethin e dytë kualifikues të Conference Leagues.
Skuadra nga San Marino e humbi lojën e parë në shtëpi javën e kaluar me rezultat 0:4.
E tash, ky ekip do ta marrë rrugën drejt vendit tonë për ta zhvilluar ndeshjen e kthimit me kampionin e Kosovës.
Por, në lojën që do të luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, mysafirët do të jenë të mangët pasi atyre do t’ju mungojnë katër lojtarë.
Lunadei, Zafferani, Vitaioli e Pellegrino nuk do të jenë prezent në Kosovë për ndeshjen e kthimit.
Kjo, jo për shkak të lëndimeve apo të kartonëve apo suspendimeve.
Por, televizioni “San Marino RTV” njofton se këta katër lojtarë do të mungojnë “për arsye pune”.
Pra, ata e kanë zgjedhur punën para lojës me Ballkanin në UEFA Conference League, shkruan “Gazeta Express”.
Ky fakt e jep pasqyrën e ekipit nga San Marino, lojtarët e së cilit kohë pas kohe kanë prioritete të tjera para futbollit.
Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe La Fioritas do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00.