Trajneri i Antwerpit, Mark van Bommel, ka thënë se ndaj Dritës do të jetë e vështirë, por që beson se skuadra e tij do të kualifikohet tutje.
Skuadra belge e nisi me fitore sezonin e ri në elitën e futbollit atje, pasi fitoi të dielën 0:2 në udhëtim te Mecheleni.
Van Bommel pas kësaj ndeshje u shpreh i lumtur me fitoren e arritur, por pranoi se skuadra e tij nuk luajti mirë.
“Ne nuk luajtëm veçanërisht mirë, por ishim të disiplinuar dhe në momentet e duhura shënuam një gol. Në fund ju duhet të luftoni kundër këtyre temperaturave. Djemtë e bënë këtë gjithashtu. Përfundimi mund të ishte më i mirë, por unë jam i kënaqur me rezultatin”, tha trajneri holandez.
45-vjeçari pastaj foli edhe për përballjen e ardhshme me Dritën, ku theksoi se në Kosovë do të udhëtojnë me besim të plotë.
“Ndeshja e kthimit kundër Dritës do të jetë një lojë 100% e vështirë dhe e kuptoj se edhe atje është tridhjetë gradë. Ne nuk jemi prapa, është vetëm 0:0. Unë jam gjithmonë nervoz para një ndeshjeje, por nuk do të jem para kësaj. Besoj se jemi gati për këtë ndeshje”, tha Mark van Bommel.
Kujtojmë se ndeshja e kthimit mes Dritës dhe Antwerpit do të zhvillohet të enjten e 28 korrikut, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultatin 0:0.
Skuadra fituese do të kalojë për në raundin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës.