Kepa Arrizabalaga mund ta vazhdojë karrierën e tij në elitën e futbollit italian – Serie A.
Spanjolli u bë portieri më i shtrenjtë në botë kur u transferua nga Athletic Bilbao te Chelsea për 72 milionë funte në vitin 2018, një rekord që ai ende e mban.
Megjithatë, Kepa nuk ka arritur që të dëshmohet te skuadra londineze, teksa ka humbur edhe garën me Edouard Mendyn për pozitën e portierit të parë.
27-vjeçari bëri 15 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar, prej tyre vetëm katër paraqitje në Premierligë – tri prej të cilave ishin gjatë kohës kur Mendy ishte me Senegalin në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Portieri spanjoll ka kontratë të vlefshme me Chelsean deri në verën e vitit 2025, por ai pritet që të largohet këtë verë.
Sipas “La Repubblica”, Napoli është favorit për të nënshkruar me portierin e gjatë 186 centimetra.
Klubi italian thuhet se e dëshiron huazimin e tij për sezonin e ardhshëm.
Nga Chelsea thuhet se janë të hapur për largimin e Kepa Arrizabalagas si i huazur, por me kusht që të përfshihet opsioni i detyrim blerjes.
Dhe, sipas mediumit italian, napolitanët pritet të pranojnë këtë propozim nga “Blutë”.