Xavi Hernandez e mori në dorë Barcelonën në gjysmë të sezonit të kaluar, në momentet më të këqija të mundshme, për ta këndellur atë dhe për t’ia siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
E tash, trajneri spanjoll është duke u munduar ta ndërtojë një ekip i cili do të mundë të luftonte për trofe në sezonin e ardhshëm.
Legjenda e Barcelonës thotë se për të nuk kanë rëndësi sukseset individuale, me të cilat është ngopur për tri jetë, por suksesi i “Blaugrana”.
“Unë ëndërroj që Barcelona të fitojë. Më ka ndodhur si lojtar, ëndërroja që Barcelona të fitonte tituj, jo unë. Egoja ime është e ngopur për tri jetë. Karriera ime si lojtar ka qenë e paarritshme. Nuk shpresoja ta kisha një karrierë kështu”, deklaroi fillimisht trajneri katalunas në konferencë për shtyp.
“Nuk dua t’i kaloj as Guardiolan e as Cruijffin, e asnjë tjetër. Jam ushqyer nga ta. Nuk janë armiqtë e mi, unë jam student i tyre. Dua ta rikthej Barcelonën në majat e futbollit botëror dhe ëndërroj që të jetë Barcelona ajo që do të fitojë, jo Xavi”, vazhdoi Xavi, i cili po e drejton ekipin në fazën përgatitore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.