Trajneri gjerman, Jürgen Klopp u ka thënë lojtarëve dhe stafit të Liverpoolit se ky shpirt i ekipit dhe miqësia brenda grupit është diçka që nuk e ka përjetuar kurrë më parë në futboll.
“Të Kuqtë” aktualisht po përgatiten për sezonin 2022/23 në kampin e tyre stërvitor në Salzburg të Austrisë.
Klopp është i kënaqur me punën që është bërë në fushat stërvitore në Saalfelden teksa përgatit ekipin për sezonin e ri, megjithatë, miqësia brenda skuadrës është ajo që ka rritur optimizmin e tij për vitin e ardhshëm.
Trajneri gjerman tregoi se skuadra aktuale e Liverpoolit, me transferimet e reja, është shumë e veçantë, ndërsa nuk ngurroi që të cilësoi “Të Kuqtë” të rrezikshëm, ku tha se Liverpooli do të jetë ekip kundër të cilit askush nuk dëshiron të luajë.
“Lojtarët e rinj që erdhën u pritën aq ngrohtësisht, miqësorë dhe të hapur. Nëse mund t'i pyesni ata, ndoshta e keni bërë tashmë, nëse ata thonë se ishte shumë më tepër nga sa prisnin, atëherë është 100% e vërteta, sepse nuk kam parë kurrë gjëra të tilla më parë dhe jam në këtë biznes për një kohë të gjatë”, tha Klopp.
“Ne duhet të sigurohemi që jemi një skuadër e veçantë, dhe e vetmja skuadër me të cilën askush nuk dëshiron të luajë, që të luftojmë më shumë për njëri-tjetrin, që të ndjejmë më shumë afërsi dhe të gjitha këto gjëra. Mendoj se ia vlen të provohet dhe kjo është arsyeja pse ne e bëjmë atë”, shtoi më tej tekniku gjerman.
Liverpooli do të vazhdojë përgatitjet parasezonale në Austri, ku do ta zhvillojë miqësoren e radhës kundër RB Salzburgut, ndeshje kjo që zhvillohet në stadiumin “Red Bull Arena” me fillim nga ora 20:00 më datën 27 korrik.