Jens Lehmann nuk ndryshon kurrë. Ish-portieri gjerman kishte një karakter të vështirë në fushë, por i tillë është edhe jashtë saj.
Bild raporton se 52-vjeçari ka humbur durimin. Ai ka marrë një sharrë elektrike dhe ka shkatërruar garazhin e një fqinji.
Shkaku? Ai pretendon se fqinji kishte ndërtuar një garazh të ri në tokën e tij, duke i zënë pamjet e mrekullueshme të liqenit Starnberg.
Gjermani ka një pronë në liqenin Starnberg prej 15 vitesh. Ishte viti 2007 kur ai luante me Arsenalin ndërkohë që e bleu për 4.2 milionë euro.
E përditshmja gjermane gjithashtu pretendon se Lehmann u përpoq të fikte një kamerë sigurie në mënyrë që të mos zbulohej.
Kjo nuk është hera e parë që ai shkakton probleme në zonën ku jeton. Policia gjermane ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur.
Lehmann u aktivizua gjatë karrierës së tij me klube si Arsenal, Milan, Schalke 04, Dortmund dhe Stuttgart, ndërkohë që mbrojti portën e kombëtares gjermane në 61 raste.