Shkupi ishte skuadra e vetme shqiptare e mbetur në garë në Ligën e Kampionëve, por misioni drejt evenimentit më prestigjoz evropian mbeti në gjysmë, pasi të martën u eliminuan nga Dinamo e Zagrebit me rezultat të përgjithshëm 0-1.
Në të njëjtën ditë, Ballkani shënoi fitore bindëse ndaj La Fioritas 6-0 në “Fadil Vokrri”, duke siguruar kualifikimin në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, me rezultat të përgjithshëm 10-0.
Sot (e enjte), zhvillojnë ndeshjet e kthimit në Ligën e Konferencës edhe pesë skuadrat tjera shqiptare.
Vetëm Shkëndija ka arritur fitore në ndeshjen e parë, ndërsa janë regjistruar tri barazime dhe një humbje nga skuadrat tona.
Drita zhvillon ndeshjen e kthimit ndaj Royal Antwerp në “Fadil Vokrri”. Bardhekaltrit shkaktuan befasi të dorës së parë, duke barazuar 0-0 në Belgjikë, dhe tani gjithçka duket e mundur në duelin e dytë.
Laçi pret në “Elbasan Arena” Petrocubin. Në ndeshjen e parë në udhëtim skuadra e Shpëtim Duros arriti të barazonte 0-0, ndërsa tani kërkojnë kualifikimin e mëtutjeshëm.
Tirana në anën tjetër do të ketë punë mjaft të vështirë në udhëtim. Kampionët e Superiores shqiptare u mposhtën javën e kaluar në “Air Albania” me rezultat 0-1 nga Zrinjski Mostar.
Vllaznia gjithashtu zhvillon ndeshjen e kthimit si mysafire. Skuadra e Mirel Josës në ndeshjen e parë barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Universitatea Craiovas.
Shkëndija pritet ta ketë më të lehtë në duelin ndaj Valmieras. Kuqezinjtë arritën fitore të madhe 2-1 në ndeshjen e parë si mysafir, ndërsa tani kërkojnë ta ruajnë rezultatin në shtëpi, për të siguruar kualifikimin tutje.
Vllaznia luan e para me fillim nga ora 19:30. Drita, Shkëndija dhe Laçi startojnë në orën 20:00, teksa e fundit nis duelin e kthimit Tirana, në 21:00.