I madh dhe i vogël janë të fokusuar nga sfida mes Dritës së Gjilanit dhe ekipit nga Belgjika, FC Antwerp, në kuadër të ndeshjes së kthimit të rrethit të dytë ë Conference League.
Nënkampioni i Kosovës, ka arritur rezultat fantastik në Antwerp, duke luajtur baras 0:0, ndërsa sonte synon fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe të kualifikohet në rrethin e tretë.
Në presion është kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, kur kihet parasysh niveli i rivalit.
Ballafaqimi mes këtyre rivalëve luhet sonte në orën 20.00, ndërsa raportohet se rreth 9.000 bileta janë shitur, çka nënkupton se interesimi është i madh për këtë sfidë.
Genc Sermaxhaj, analist i futbollit, tha se është një ndeshje e vështirë për Dritën.
Si e sheh Dritën dhe ku duhet të ketë kujdes nga belgët?
“Drita duhet të paraqitet ngjashëm si në ndeshjen e parë ndaj Antwerp-it, por duhet që mundësitë që i jepen në kundërsulme dhe para portës t’i konkretizoj ngase ato mundësi mund të jenë të pakta.
Duhet të shtojë më shumë koncentrimin në detyrat e mbrojtjes ngase kundërshtari do të kërkoj me çdo kusht të shënoj.
Ekipi Antwerp-it është mjaftë cilësore dhe durimi në ndeshje të tilla i jep avantazh në posedim e raste.
Kjo e bën që të insistoj për shënim”, thotë Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.