Interi iu bashkua shumë klubeve të tjera europiane ne vitin e fundit duke i besuar kompanive të kriptovalutave rolin e sponsorit të ekipit. Kompania “DigitalBits” ishte ajo e cila lidhi kontratë me zikaltërit, por me sa duket jo gjithçka po shkon mirë.
Sipas asaj që bën të ditur “Il Sole 24 Ore” në Itali, kompania në fjalë e cila fillimisht ishte sponsor në fanellë dhe më pas u bë sponsor i përgjithshëm, ka vonesa të mëdha në pagesat që duhet të derdhë sipas kësteve të caktuara në kontratë.
Ka dyshime shumë të mëdha mbi vazhdimësinë e kësaj kontrate në kushte të tilla, aq sa edhe klubi i Interit ka hequr çdo referencë të saj nga faqja zyrtare në internet.
Pritet që në miqësoren ndaj Lionit, klubi të mbajë vetën logon në fanellë, por jo në ekranet e reklamave rreth fushës.
Interi kishte nënshkruar kontratë katërvjeçare me “DigitalBits”, një marrëveshje që do të sillte në arkat e klubit rreth 85 milionë dollarë. Por duke parë se si po shkon ajo që në start, duket e vështirë që marrëveshja të shkojë deri në fund.