Cristiano Ronaldo u prit me shumë përzemërsi sot në stadiumin “Old Trafford”, ku tifozët e Manchester Utd i treguan yllit portugeze se nuk i mbanin mëri për kërkesën e tij për t’u larguar nga “djajtë e kuq” gjatë verës. Por situata ka qenë krejt ndryshe pas përfundimit të ndeshjes, kur u mësua se kur ishte larguar portugezi nga stadiumi.
Në fillimin e sfidës, kur skuadrat hynë për nxemje në fushën e lojës, disa tifozë kënduan në kor emrin e Ronaldos dhe ai u përgjigj me duartrokitje ndaj tribunës.
Një gjest i cili mori ovacione të shumta nga mbështetësit e skuadrës të cilët më pas duartrokitnin edhe tentativat e tij drejt portës në nxemje.
Por pas ndeshjes miqësore ndaj Rajo Vallecanos që u mbyll me shifrat 1-1, në rrjetet sociale ka shpërthyer protesta kundër tij, pasi u publikuan foto të lojtarit duke u larguar nga “Old Trafford”. Një tifoz që i kishte postuar, pretendonte se fotot ishin bërë para përfundimit të ndeshjes, me portugezin që nuk kishte pritur të mësonte si do të përfundonte sfida.