Telenovela Charles De Ketelaere ka mbërritur në serinë e fundit, me fantazistin belg që zbarkoi në orët e vona të mbrëmjes në Milano dhe sot do të kryejë vizitat mjekësore, par ase të firmosë kontratën që do ta lidhë me Milanin deri në verën e 2027-ës.
Futbollisti 21-vjeçar ishte objektivi kryesor i Milanit në merkato dhe dyshes Maldini-Masara iu desh të djersinte jo pak për të bindur Club Brugge, por në fund marrëveshja u arrit për një shifër që bashkë me bonuset do t’i kalojë 35 milionë euro.
Më konkretisht, kuqezinjtë do të paguajnë 32 milionë euro menjëherë, plus 3 të tjera në formë bonusi dhe klubi belg ka ruajtur edhe 12.5% të vlerës së kartonit në rast rishitjeje në të ardhmen të 21-vjeçarit.
Nga ana tjetër, vetë De Ketelaere do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë një pagë neto prej 2.3 milionë eurosh dhe do të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 90, të njëjtën që mban edhe patrioti i tij belg, Romelu Lukaku në kampin zikaltër.
De Ketelaere është një futbollist i talentuar, që spikati sezonin e fundit me Club Brugge dhe di të bëjë disa role në fushë, pasi përshtatet mirë si sulmues krahu, por edhe fantazist, ndaj Maldini këmbënguli shumë për ta sjellë në Milano.