Miliona vijnë, miliona shkojnë: Në Mynih paratë aktualisht qarkullojnë në sasi të mëdha. Merkato e ka lënë bilancin e klubit me minus 58.1 milionë euro. Por ata kanë arritur ta rikuperojnë këtë shifër nga të ardhurat e Ligës së Kampioneve.
Secili nga 32 klubet pjesëmarrëse do të marrë 15.64 milionë euro për pjesëmarrjen. Përveç kësaj, shpërblimet shpërndahen në varësi të koeficientit përkatës në renditjen dhjetëvjeçare të UEFA-s ku falë vazhdimësisë, gjermanët renditen në vend të dytë pas Realit.
Kështu, bavarezët kanë siguruar 35.25 milionë euro të tjera. Burimi i tretë i të ardhurave është i ashtuquajturi “market pool”.
Si kampion i Gjermanisë, Bajernit i garantohen 10 milionë euro të tjera. Dhe kjo do të thotë se ata kanë bërë një injeksion prej 60 milionë eurosh pa luajtur asnjë ndeshje.