Jose Mourinho është në pritje që brenda kësaj jave të ketë në dispozicion mesfushorin holandez Georgino Wijnaldum dhe sulmuesin Italian Andrea Belotti, për të cilët drejtuesit e klubit verdhekuq po punojnë intensivisht që t’i sjellin në “Olimpico”.
Megjithatë merkatoja e Romës nuk do të mbyllet këtu, pasi trajneri portugez ka kërkuar edhe një tjetër futbollist për mbrojtjen dhe konkretisht, një lojtar që të jetë i mësuar të luajë me rreshtimin me katër në prapavijë.
Tre nga katër qendërmbrojtësit aktualë të verdhekuqve, Mancini, Ibanez e Kumbulla, japin më të mirën e tyre në rreshtimin me tre, por Mourinho po planifikon rikthimin te skema e tij karakteristike, 4-2-3-1 dhe për momentin vetëm Smalling ka cilësitë e duhura për t’u përshtatur.
Lista e emrave që portugezi u ka dhënë drejtuesve të klubit është e gjatë dhe në të bëjnë pjesë emra si Zagadou, të cilit i ka përfunduar kontrata me Dortmundin dhe është lojtar i lirë, por edhe Tanganga e Eric Bailly, të cilët Mourinho i ka stërvitur më herët te Manchester United e Tottenham.