Kampionati i Maqedonisë së Veriut mbetet një treg të cilin skuadrat e Kategorisë Superiore po e shfrytëzojnë në maksimum dhe përforcimet me lojtarë të cilët kanë luajtur atje me ekipet më të njohura, vazhdojë të shtohen.
Më i fundit është transferimi i mbrojtësit të Shkupit, Ardit Iljazi.
Futbollisti 22-vjeçar, i cili ka luajtur dhe me Gostivarin para se te vishte fanellën e kampionëve, ka lënë Maqedoninë e Veriut për të nënshkruar me Erzenin. Futbollisti i bashkohet shijakasve të cilët kthehen pas shumë vitesh në elitë dhe praktikisht po bëjnë nga e para ekipin për edicionin e ri.
Qendërmbrojtësi ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë së Veriut, ndërsa tani pritet të jetë një alternativë shumë cilësore në prapavijë, ku mund të luajë përkrah Gëzim Krasniqit.