Raphinha, në fillim të merkatos, dukej i destinuar të përfundonte te Chelsea. “Blutë” e Londrës e kishin mbyllur praktikisht blerjen e brazilianit, por Barcelona ndërhyri në minutën e fundit duke ia prishur mendjen sulmuesit.
Vullneti i futbollistit brazilian për t’u transferuar në “Camp Nou” dhe marrëdhënia e mirë e Decos, menaxherit të tij, me klubin “blaugrana”, rezultuan thelbësore për nënshkrimin e tij me Barçën.
Një lëvizje kjo që e ka vënë në pozitë shumë të vështirë presidentin e Leedsit, italianin Andrea Radrizzani. Biznesmeni italian doli para medieve britanike dhe pranoi se “u turpërua” kur u takua me Todd Boehly-n, pronarin e ri të Chelsea-t, për ta informuar se Raphinha do të nënshkruante për Barçën.
“Raphinha, te Chelsea, ishte e kryer. U turpërova kur u ballafaqova sërish me Boehly-n për të ndryshuar qëndrimin tim. Ishte një mungesë respekti për mua, nuk ishte gjëja e duhur për të bërë, por nuk kisha zgjidhje tjetër…”, – pohoi ai.
Ai theksoi më tej që nuk kishte plan për ta shitur sulmuesin, por e detyruan rrethanat:
“Do të preferoja të mos e shisja, por duhej të blinim gjashtë lojtarë”. Një lëvizje që bëri të mundur sigurimin e Jesse Marsch dhe më shumë se blerje interesante, siç është kolumbiani Luis Sinisterra nga Feyenoordi.