Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, në prezantimin zyrtar të Robert Lewandowskit të premten, tha se klubi ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme në La Liga për të regjistruar përforcimet e bëra deri më tani.
Ai u shpreh shumë i sigurt se nuk do të ketë probleme në regjistrimin e tyre, ndonëse tha se janë në pritje të përgjigjes së përgjegjësve të ligës.
Barça ka mbajtur takime të rregullta me zyrtarët e La Liga prej javësh për të vlerësuar situatën. Sipas “SPORT”, klubi momentalisht nuk i plotëson kërkesat e nevojshme për të regjistruar pesë nënshkrimet e verës – Robert Lewandowski, Jule Kounde, Franck Kessie, Andreas Christensen dhe Raphinha, si dhe dy futbollistët që rinovuan kontratat – Ousmane Dembele dhe Sergi Roberto.
La Liga thuhet se e ka njoftuar Barcelonën për këtë.
Sipas të njëjtave burime ku bazohet mediumi spanjoll, Barcelona do të duhet të aktivizojë levën e katërt ekonomike; shitjen e 24.5 përqindëshit të tjerë të “Barça Studios” dhe të ulë më tej faturën aktuale të pagave, e cila është shumë mbi kufirin e lejuar nga La Liga.
Barcelona thuhet se duhet të shesë disa futbollistë, mundësisht Frenke de Jong dhe Memphis Depay, për t’u përshtatur me kërkesat thelbësore të kërkuara për regjistrimin e përforcimeve.
Tani, Barça thuhet se në fillim të javës së ardhshme do të aktivizojë levën e katërt për të filluar me regjistrimet e përforcimeve të verës, me qëllim që futbollistët të jenë në dispozicion të Xavit për sezonin e ardhshëm.
Për regjistrimin e futbollistëve ka kohë deri më 31 gusht.