Federata e Futbollit e Francës nuk e ka pranuar kontratën e Christophe Galtierit me Paris Saint-Germainin.
Francezi u emërua në pozitën e trajnerit te PSG-ja në muajin e kaluar, duke e zëvendësuar të shkarkuarin, Mauricio Pochettinon.
Megjithatë, Federata e Futbollit e Francës (FFF) nuk e njeh ende atë si trajner të kampionëve të Ligue 1.
Sipas “L’Equipe”, kontrata dyvjeçare e Galtierit e nënshkruar me PSG-në nuk është miratuar nga Komisioni Federal i Trajnerëve të Futbollit, i cili u mblodh më 28 korrik, pasi ai nuk ka bërë “rikualifikimin” e diplomës UEFA Pro, një lloj përditësimi i njohurive të tij.
Sipas rregulloreve, çdo trajner duhet të kryejë një testim në çdo tre vjet për të vërtetuar aftësitë në profesionin e tij.
Tani, sipas mediumit francez, Galtier do t’i duhet t’i shkruajë një letër FFF-së duke u zotuar të kryejë detyrimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur, ku si opsion mund të jetë koha kur luajnë ekipet kombëtare.
Ndryshe, Paris Saint-Germaini e nis sezonin e ri në Ligue 1 këtë të shtunë, me ndeshjen në udhëtim te Clermont.