Ish-futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës dhe ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës për një periudhë disavjeçare,
Edmond Rugova është pensionuar nga vendi i punës në administratën e FFK-së. E në një ceremoni të organizuar për Rugovën në ditën e përshëndetjes nga kolektivi i deritashëm, i pranishëm ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
“Jemi mbledhur në këtë ceremoni modeste që zyrtarisht siç e do rendi dhe ligji të përshëndetemi nga kolegu ynë i deritashëm,
Edmond Rugova, i cili sot përmbyll fazën zyrtare të punës dhe do ta gëzojë pensionin. Edmondi fatmirësisht vazhdon të jetë me shëndet të mirë dhe ne do të mundohemi që tash e tutje të bashkëpunojmë me të edhe në forma tjera, ngase FFK ka nevojë për këshillat dhe eksperiencën e tij. Me këtë rast dua ta falënderoj Edmondin për punën, përkushtimin, profesionalizmin por edhe adrenalinën dhe pozitivitetin e tij në Federatë gjatë këtyre viteve.
Futbolli ka qenë dhe është pjesë e jetës së tij, prandaj për ne si FFK ka qenë nder që ai ka qenë pjesë e jona”, ka theksuar presidenti Ademi, i cili e ka dekoruar atë me mirënjohje dhe me një orë si dhuratë.
Në anën tjetër, Edmond Rugova u shpreh i emocionuar për ndarjen nga puna e përditshme me kolegët e deritashëm, teksa falënderoi presidentin Ademi dhe FFK-në për mundësinë e ofruar. “Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe u jam mirënjohës përjetësisht. Dëshira ime gjithmonë ka qenë të kontribuoj për futbollin e Kosovës dhe shpresoj se edhe në të ardhmen të vazhdoj bashkëpunimi ynë“, ka thënë Rugova.
Rugova, në vitet e fundit ka qenë i punësuar në FFK, në rolin e menaxherit të programit zhvillimor të të rinjve.