Vangjel Zguro do të jetë pjesë e Skënderbeut edhe sezonin e ardhshëm. Kapiteni u largua nga ekipi korçar pasi u mbyll sezoni i fundit, që solli rrëzimin e juglindorëve në Kategorinë e Parë.
29-vjeçari nga Pogradeci e përjetoi keq dështimin e Skënderbeut, teksa shkroi këto rreshta në fund të sezonit: “Keqardhje që gjërat erdhën kështu, ju u bëtë pjesë e jetës sime, ju dua pafund vëllezërit e mi.
Jam i sigurt që të gjithë pa përjashtim keni një karrierë të gjatë para, kjo duhet t’iu bëjë më të fortë.
Po shkruaj dhe po qaj. Ju dua çuna. Forca Skënderbeu. Faleminderit për çdo gjë. Gjithmonë mirënjohës”.
Në fillim u përfol për një rikthim në SHBA, aty ku anësori i majtë ka luajtur edhe më parë, por SuperSport mëson se Zguro i ka dhënë fjalën presidentit Takaj për të vijuar karrierën në Korçë, me objektiv rikthimin e Skënderbeut në elitë.
Lojtari potent konfirmon për SuperSport se do të jetë pjesë e ekipit të Migen Memellit në sezonin e ri, teksa shpreson të japë kontributin e tij për rikthimin mes më të mirëve.