Hector Bellerin është duke e kërkuar largimin nga Arsenali.
Agjenti i spanjollit është takuar sot me bordin e Arsenalit në Londër, ka bërë të ditur Fabrizio Romano.
Në takim është biseduar për ndërprerjen e kontratës së Bellerinit me klubin londinez, pasi lojtari po e kërkon transferimin e përhershëm te Real Betisi.
27-vjeçari e kaloi sezonin e kaluar si i huazuar në “Benito Villamarin” dhe shfaqi paraqitje të mira. Ai e ndihmoi skuadrën spanjolle të përfundojnë në pozitën e pestë në La Liga, duke siguruar kështu kualifikimin për në Ligën e Evropës.
Mbrojtësi i krahut të djathtë me Real Betisin gjithashtu e fitoi edhe trofeun e Kupës së Mbretit.
Ai bëri 32 paraqitje për andaluzjanët në të gjitha garat sezonin e kaluar dhe regjistroi pesë asistime.
Hector Bellerin e filloi karrierën e tij me Barcelonën, klubin e tij vendas, përpara se të largohej për në Arsenal në moshën 16-vjeçare. Ai e ka kaluar të gjithë karrierën e tij në “Emirates Stadium”, me përjashtim të huazimeve te Real Betisi dhe më herët te Watfordi.
Kontrata e Bellerinit me Arsenalin skadon më 30 qershor 2023.