Pas debutimit të madh në Premier League me fanellën e Manchester City-t, Erling Haaland ka marrë shumë komplimente.
Dygolëshi i tij kundër West Ham i ka dhuruar skuadrës së tij të re fitoren e parë në kampionat dhe sulmuesi është kthyer menjëherë në lojtarin e momentit në Premier.
Edhe Paul Scholes, legjendë e Manchester United, klubi rival i Citizens, nuk i ka kursyer komplimentet dhe elozhet për yllin norvegjez.
Siç është bërë e ditur edhe nga faqja zyrtare e Premier League, ish-mesfushori ka arritur deri aty sa ka bërë një krahasim shumë të rëndësishëm:
“Ai është një lojtar kaq i ri, por tashmë me shumë vetëbesim. Ai më kujton shumë Ruud van Nistelrooy, golashënues i pamëshirshëm,” tha Scholes.
“Kur depërton në zonën e rreptësisë, ndjen se do të shënojë pa i dhënë asnjë rast portierit. Edhe para penalltisë, ai ishte shumë i sigurt dhe kjo e tregoi: bëri një hap dhe gjuajti në këndin e ulët.
“Ishte një debutim i mrekullueshëm. Mendova se do të duhej pak kohë për t’u përshtatur, por gabova. Ky djalë ka cilësi të shkëlqyera: aftësinë për të shënuar gola, lëvizjet e tij. Ai ka gjithçka”.