Te Bayern Munchen mendojnë edhe për të ardhmen. Kampionët e Gjermanisë kanë mbyllur merkaton për momentin, teksa e nisën sezonin e ri në mënyrë spektakolare.
Në fillim suksesi 5-3 ndaj Leipzigut në finalen e Superkupës së Gjermanisë dhe më pas triumfi tenistik 6-1 në Frankfurt përballë Eintrachtit në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Bundesliga.
Dy ndeshje dhe 11 gola të shënuar, sulmi i Nagelsmann funksionon për mrekulli edhe pas largimit të një makinerie golash si Robert Lewandowski.
Një nga objektivat për verën e ardhshme është Harry Kane, i cili cilësohet si zëvendësuesi perfekt i bomberit polak, por në Bavari kanë një tjetër dëshirë.
Mediet gjermane shkruajnë se fokusi i Bayernit do të jetë Christopher Nkunku, sulmuesi francez i Leipzigut, i cili po paraqitet mirë prej kohësh tek ekipi gjerman.
24-vjeçari, i cili në mars debutoi me kombëtaren e Deschamps, ka nisur sezonin e katërt me Leipzigun, që pritet të jetë edhe i fundit.
Problem mbeten kërkesat e larta, drejtuesit e Leipzigut duan mbi 100 milionë euro për të lënë të lirë qendërsulmuesin dhe Bayerni do të jetë i detyruar të shesë një nga titullarët.