Këtë të enjte, trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, konfirmoi në konferencë për shtyp se Mauro Icardi nuk është në planet e tij, duke e ftuar argjentinasin që të gjejë një ekip të ri.
Kupola drejtuese e parizienëve dhe ish-sulmuesi i Interit po punojnë së bashku në kërkim të një destinacioni të ri të përshtatshëm, nëpërmjet huazimit apo shitjes përfundimtare.
Formës së dobët sportive të shfaqur sezonet e fundit i shtohet edhe jeta e trazuar private e Mauritos. Kështu që drejtuesit e PSG-së e mbështetën pa hezitim trajnerin në këtë vendim.
Icardi ka afat deri më 31 gusht për të gjetur një klub, ditë në të cilën mbyllet merkatoja. Edhe vetë Icardit duket se i leverdis të largohet, pasi dëshiron të luajë, çka nuk ia siguron Galtier.
Në planin sportiv, Icardi po përjeton një nga momentet e tij më të këqija. Në tetë muajt e fundit ai ka shënuar një gol, ka luajtur 14 ndeshje, duke luajtur të plota vetëm dy prej tyre, ndërkohë që ka një pagë shumë të majme.
Vendimi i Mbappesë për të rinovuar, qëndrimi i Neymarit, por edhe prania e Messit nuk i japin mundësi për të pasur qoftë minuta të kufizuara në këmbë.
Nga ana personale, Icardi ka qenë protagonist i disa episodeve të pakëndshme për drejtuesit e PSG-së, madje edhe për shokët e tij. Nga tradhtia e supozuar gjashtë muaj më parë, tek një divorc i pretenduar së fundmi, ngjarje që e kanë lëkundur reputacionin e tij.