Ish-sulmuesi i Chelseat dhe Arsenalit, Willian ka prishur në mënyrë të parakohshme kontratën e tij me Corinthias, për shkak të kërcënimeve me vdekje që kishte marrë në rrjetet sociale bashkë me familjarët e tij.
Braziliani 34-vjeçar luajti 45 ndeshje me Corinthias, teksa presidenti i klubit dha lajmin për prishjen e parakohshme të kontratës, natyrisht pa penalitete për palët.
“Willian na kërkoi të ndërpresim bashkëpunimin për arsye familjare. Më vjen keq që shkoi kështu, por jemi të detyruar të respektojmë dëshirën e tij,”, deklaroi presidenti i Corinthias.
Vetë Willian u shpreh pak ditë më parë për mediat braziliane se sa herë që Corinthias humb, ai dhe familjarët e tij përballen me lumë sharjesh e kërcënimesh në rrjetet sociale.
E ardhmja e 34-vjeçarit pritet të jetë sërish në Premier League, pasi Fulham ka shprehur interesin për t’i ofruar një kontratë një vjeçare me opsion rinovimi.