Moise Kean mund t’i thotë përsëri lamtumirë Juventus-it vetëm një vit pas kthimit të tij, i verifikuar njëkohësisht me shitjen e Cristiano Ronaldo-s te Manchester United.
Bardhezinjtë mund ta shesin lojtarin vetëm pasi ta kenë blerë kartonin e tij përfundimisht, duke parë ‘kushtet’ e transferimit të tij nga Everton:
“I huazuar deri më 30 qershor 2023. Marrëveshja parashikon detyrimin e blerjes nga ana e Juventus-it nëse arrihen objektiva të përcaktuar sportiv në harkun e sezonit 2022/23.
“Shuma për të cilën është rënë dakord është e barabartë me 28 milionë euro, që mund të paguhet në tre këste. Ndër të tjera, janë parashikuar edhe bonuse deri në 3 milionë euro me arritjen e objektivave të tjerë sportiv”, ka qenë përmbajtja e komunikatës për shtyp të publikuar 31 gushtin e një viti më parë.
Këtë verë, Kean, i cili ka munguar në miqësoren e fundit kundër Atletico-s (e fituar 4-0 nga spanjollët) për arsye disiplinore, është përfolur për një këmbim me Paredes të PSG-së.
Megjithatë, e ardhmja e italianit 22-vjeçar mund të jetë akoma në Itali, më saktësisht tek Atalanta e Gian Piero Gasperini-t.
Sipas Calciomercatonews.com, Juventus mund t’u ofrojë zikaltërve një shkëmbim ‘dy për një’. Moise Kean, i vlerësuar 30 milionë euro edhe për arsye bilanci, për Luis Muriel, që vlerësohet sa gjysma dhe që pëlqehet shumë nga Allegri, dhe qendërmbrojtësin kuqezi Gjimshiti.
Siç ka bërë të ditur i njëjti burim, megjithatë, super shkëmbimi ka pak mundësi të realizohet. Gasperini e vlerëson Kean, por në Bergamo duan vetëm para për Muriel dhe Gjimshitin.