Mbyllen dilemat për statusin e talentit shkupjan Besar Guxhufi.
Gjigandi turk Beshiktash përmes një komunikate të shoqëruar me fotografi konfirmon firmosjen e kontratës profesionale me mesfushorin 18-të vjeçar nga Shkupi.
“Klubi jonë ka firmosur kontratë profesionale me Besar Guxhufin, mesfushorin nga Maqedonia, i lindur në vitin 2004. Menaxheri gjeneral dhe Drejtori Sportiv i Akademisë së Beshiktashit, Ceyhun Kazanci i uroi suksese Guxhufit, të cilin e takoi në zyrat e BJK Nevzat Demir”, thuhet në komunikatën e Beshiktashit.
Guxhufi që u rrit në moshat e Vardarit, hapsira serioze si senior gjeti te Bellasica e Strumicës prej ku kaloi në Turqi te Beshiktashi. Ishte pjesë e Akademisë dhe luante me ekipin e shpresave deri në momentin e mbushjes së moshës 18-të vjeçare kur lejohet realizimi i transferimit ndërkombëtar.