Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, Manchester United do të pranojë ofertën prej 11 milionë eurosh të Crystal Palace për kartonin e Aaron Wan-Bissakas. Mbrojtësi i djathtë gjatë muajve të parë në “Old Trafford” tregoi formë të kënaqshme, por shumë shpejt paraqitjet e tij u zbehën dhe tani është gati të kthehet në “Selhurst Park”.
Nga ana tjetër, skuadra e Erik ten Hag tashmë po kërkon lojtarë në merkato edhe për pozicionin e 24-vjeçarit. Daily Mail ka zbuluar se janë dy emra në tryezë: Thomas Meunier dhe Sergiño Dest.
Nëse largimi i Wan-Bissaka mbyllet në ditët në vijim, klubi i famshëm anglez do të duhet të përballet me kritika të ashpra, pasi këtë mbrojtës, tri vite më parë, e ka blerë plot 55 milionë.
Bilanci i përgjithshëm do të ishte një humbje prej 44 milionë eurosh. E palogjikshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një lojtar që është vetëm 24 vjeç dhe duhet ta rriste edhe më shumë vlerën e tij. Dështime të tilla ndodhin vetëm tek “Djajtë e Kuq”.