Kërkimi shkencor dhe siguria e tifozëve. Në Angli, mes Premier League dhe Championship, ka disa klube që po punojnë për të përmbushur nevojat e publikut dhe për të siguruar standarde të larta sigurie brenda stadiumeve të tyre.
Shembulli vjen nga Norwich, i zbritur nga Premier League së fundi. “Kanarinat”, të cilat deri më tani kanë grumbulluar 4 pikë në 4 ndeshje të kampionatit, pas konsultimeve të ndryshme me studiues shkencorë, kanë arritur në një përfundim specifik.
“Carrow Road” do të jetë i ndaluar për fëmijët nën 2 vjeç për shkak të efekteve të dëmshme afatgjata në dëgjim. Ky është njoftimi zyrtar për shtyp nga Norwich, i publikuar në kanalet e tij sociale:
“Klubi vazhdon të ekzaminojë incidente të ndryshme të lëndimeve personale brenda stadiumeve dhe ambienteve sportive, si dhe të vlerësojë kërkimet akademike mbi ndikimin e zhurmës në dëgjimin e fëmijëve.
Në përputhje me politikat e hyrjes në stadiumet kryesore kombëtare, klubi ka vendosur të përditësojë udhëzimet e hyrjes në ‘Carrow Road’ për ndeshje dhe ngjarje më të mëdha specifike. Fëmijët nën 2 vjeç nuk do të lejohen më të hyjnë në ambientet e brendshme të stadiumit në ditët e ndeshjeve.
Ky vendim është marrë për të parandaluar rreziqet dhe dëmtimet serioze për fëmijët nën moshën 2 vjeç. Fëmijët mbi 2 vjeç do të mund të hyjnë në ditët e ndeshjeve në ‘Carrow Road’ me një biletë të vlefshme”.