Ndeshja me Leeds United mund të ishte shansi ideal për Armando Brojën, në mos për të qenë titullar, të paktën për të fituar më shumë minuta me fanellën e bluve të Londrës, por sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk do të jetë në këtë ndeshje në “Eland Road”.
Broja do të mungojë për shkak të një dëmtimi të lehtë, i dyti për të në një periudhë të shkurtër te Chelsea. Dëmtimi i tij është komentuar dhe nga trajneri Tomas Tuchel në prag të kësaj transfertë, me numrin 1 të stolit të bluve, që ka shprehur keqardhje që Broja nuk po fiton dot formën e tij optimale fizike, duke e cilësuar si një element të rëndësishëm për sulmin e ekipit sidomos në këtë fazë kur dhe dëmtimet janë të shumta në radhët e londinezëve.
20-vjeçari u dëmtua gjatë seancës stërvitore, një lëndim që nuk paraqet seriozitet por që është i mjaftueshëm për të mos e lejuar që të udhëtojë me skuadrën për këtë sfidë.
Sipas Tuchel, Broja ka qenë dhe i pafat, sepse teksa po mundohet të bëjë hapin e madh për të qenë plotësisht një lojtar i rëndësishëm te blutë, është dëmtuar për të dytën herë radhazi dhe këto dëmtime sipas gjermanit nuk po e ndihmojnë lojtarin të arrijë objektivat personal dhe nuk po e ndihmojnë as vetë Chelsean që të ketë një panoramë të vërtetë mbi cilësitë dhe forcën e futbollistit.
Tuchel madje bëri të ditur se duke patur parasysh dhe mungesat e tjera, kjo periudhë mund të kishte qenë shansi ideal për Armandon për të lënë shenjën e tij te Chelsea, por gjithsesi theksoi se lojtari gëzon mbështetjen e plotë të klubit, por për fat të keq këto dëmtime nuk po e lejojnë të ketë impaktin e duhur.
Në dy javët e para të kampionatit, sulmuesi i talentuar shqiptar u aktivizua 15 minuta në total, duke hyrë si zëvendësues në fushë në fitoren ndaj Evertonit në Liverpul dhe barazimin në derbin e Londrës ndaj Tottenhamit.