Një nga transferimet më të bujshme të merkatos 2022, ishte edhe kalimi i Raheem Sterling te Chelsea teksa sulmuesi mbylli pas shtatë viteve aventurën te Manchester City.
Një eksperiencë e cila gjithsesi duket se nuk ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme për 27-vjeçarin duke qenë se së fundmi Sterling ka “vjellë vrer” ndaj ish-klubit të tij dhe indirekt ka “thumbuar” edhe trajnerin Pep Guardiola.
Sterling thekson se te City nuk e trajtuan në mënyrën e duhur, pavarësisht sakrificave të mëdha të futbollistit që në raste të veçanta ka munguar edhe në datëlindjen e vajzës për të qenë në gatishmëri të skuadrës.
“Kur luan me shpirt, sakrifikon datëlindjen e vajzës dhe më pas sheh se mungon respekti, atëherë ndihesh i zhgënjyer. Ajo që po përjetoja së fumdmi te City ishte vetëm zemërim, por tashmë ka kaluar ajo situatë dhe tashmë jam i përqëndruar te Chelsea. Këtu kam sërish mundësinë për të treguar versionin më të mirë.
Një tjetër faktor që më detyroi të largohesha nga Etihad Stadium ishte edhe kontrata në skadencë dhe më vjen keq për mënyrën si përfundoi ajo eksperiencë. Nëse nuk je i lumtur duke luajtur futboll, atëherë është e sigurt se ka ardhur koha për një aventurë të re”, u shpreh Sterling.