Vllaznia e futbollit të femrave tashmë është gati për aventurën e saj në Ligën e Kampioneve, teksa tashmë ka njohur edhe emrin e kundërshtarit që do të ketë përballë në sfidën për një vend mes 32 ekipeve më të mira të Europës. Kështu, vajzat kuqeblu do të matin forcat me kampionen e Sllovakisë, Mijava.
Këto të fundit bënë surprizën në Petrovac, duke u kualifikuar me përmbysje përballë Breznicës së Malit të Zi, e cila është organizatore e minigrupit kualifikues në të cilin bën pjesë edhe skuadra shkodrane.
Në takimin e zhvilluar të enjten, Breznica ishte në avantazh të dyfishtë pas 20 minutash lojë dhe dukej se po shkonte e qetë drejt kualifikimit. Por Mijava shkurtoi diferencën në pjesën e parë dhe në të dytën realizoi përmbysjen e madhe me gola në minutat 78 dhe 86, duke vulosur fitoren 2-3. Kështu, sot në orën 18:00 skuadra sllovake do të ndeshet me Vllazninë në Petrovac.
Fituesja e këtij çifti do të shkojë në “play off” të Ligës së Kampioneve, një hap larg fazës në grupe që do të ishte një arritje historike për futbollin e femrave në Shqipëri, por edhe një përfitim i jashtëzakonshëm financiar për klubin kuqeblu. Kujtojmë se kampionet e Shqipërisë kanë qenë me fat në short, pasi siç dihet kaluan direkt në finalen e minigrupit të tyre.
Vllaznia është dominuese absolute e futbollit shqiptar prej vitesh, me 9 dopieta radhazi (kampionat+Kupë), ndërsa ka bërë paraqitje fantastike edhe në Europë, duke shkuar dy herë gjatë viteve të fundit në fazën “play off” mes 32 ekipeve më të mira të kontinentit.