Ngecja e tratativës mes Adrien Rabiosë dhe Mançester Junajtidit për shkak të rrogës së lartë prej 10 milionë eurosh që pretendonte francezi, ka sjellë pasoja te Juventusi duke bllokuar mbërritjen e Leandro Paredesit, objektivit të kësaj vere për mesfushën.
Pavarësisht kësaj mes klubit torinez dhe lojtarit të PSG-së, që po ashtu ka zgjedhur bardhezinjtë si skuadrën në të cilën do ta vazhdojë karrierën e tij, është gjendur një akord verbal falë të cilit argjentinasi do të presë deri në fund të merkatos për ofertën e Juves pa negociuar me klube të tjera.
“Zonja” duhet t’i krijojë vend në repart ish-mesfushorit të Romës dhe për këtë po bën ç’është e mundur që të shesë Arturin, prej kohësh larg planeve të Alegrit.
Në Torino, Paredes do të rigjente ish-shokun e tij të skuadrës, Di Marian, që duhet thënë se ka një peshë të madhe në preferencën e tij për Juventusin.