Kualifikimi i Benfikës në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve ka bërë që tashmë të mos ketë më dilema sa i përket përbërjes së tre vazove të para në shortin e Ligës së Kampioneve që hidhet në pasditen e të enjtes.
Vazo e parë dhe e dytë ishin plotësuar prej kohësh, ndërsa dilema e vetëm kishte lidhje me vazon e tretë, ku mund të pozicionohej Olimpik Marseja. Por kjo dilemë tashmë është shuar me kualifikimin e Benfikës që kishte një koeficient më të lartë se francezët e kështu, këta të fundit duhet të kalojnë në vazon ë katërt.
Ndërsa mbetet të mësohen tre emrat e fundit nga ndeshjet e të mërkurës (Dinamo Zagreb-Bodo/Glimt, Trabzonspor-Kopenhagë dhe PSV-Rejnxhërs), ndarja e skuadrave në vazo e bën të mundshme krijimin e të paktën një “grupi ferri”.
Kjo, për shkak se në vazon e tretë ka skuadra si Borusia Dortmund, Inter, Napoli apo edhe Benfika e Sporting, që kanë histori në një turne të tillë, me Marsejën e Sëlltikun në vazon e katërt që mund të dhurojnë rezultate surprizë në çdo grup.