Vedat Muriqi u bë për një kohë të shkurtër lojtar vendimtar dhe mjaft i rëndësishëm për Mallorcan.
Sulmuesi e ndihmoi ekipin ishullor të shpëtonte pa rënë nga liga në sezonin e kaluar, ndërsa roli i tij në edicionin e ri duket se do të jetë i njëjtë.
Pas një vere të çuditshme për të, përfaqësuesi kosovar ia doli të nënshkruante kontratë afatgjate me klubin nga La Liga.
Pa një përgatitje “normale” para-sezonale, pak nga pak ai po e kthen formën e pritur, shkruan mediumi spanjoll “Marca”, ia cili ia kushtoi një shkrim futbollistit prizrenas.
Goli i tij ndaj Betisit u dha shpresë tifozëve të Mallorcas, të cilët po e ëndërronin rikthimin e tij kur ai ishte kthyer përkohësisht në Lazio, e cila e mbante kartonin e lojtarit.
Muriqi është adaptuar në mënyrë perfekte me lojën që e aplikon trajneri Javier Aguirre.
Madje, që nga zbarkimi në futbollin spanjoll, Muriqi ka shënuar më së shumti gola me kokë, 3, në total prej 19 ndeshjesh të zhvilluara.
Muriqi i ka realizuar 6 gola në total që prej transferimit të tij në Mallorca.
Për çudi, sulmuesi e ka shënuar vetëm një gol me këmbë në lojë të rregullt.
Ai në fakt ka realizuar dy herë nga penalltia, ndaj Cadizit dhe kundër Atletico Madridit.
Gjithashtu, e ka gjetur tri herë golin me kokë, dy herë kundër Betisit dhe një herë ndja Rayo Vallecanos.
Natyrisht, shënimi i pjesës më të madhe të golave me kokë nuk është një risi e as një befasi, duke e pasur parasysh se ai është i gjatë 194 centimetra, të cilat ia mundësojnë të jetë mjaft i rrezikshëm për mbrojtjet dhe portierët kundërshtarë.
Edhe kur shkon në mbrojtje për ndonjë rivënie këndi, ai është një protagonist i qartë për ta larguar topin.
Të shënosh me kokë ndoshta duket e lehtë, por pas dy xhirosh në La Liga jo shumë lojtarë kanë arritur ta bëjnë këtë.
Chimy Ávila, Gonçalo Paciencia, Sadiq dhe i lartpërmenduri Muriqi janë të vetmit që kanë shënuar me kokë.
Deri tash, në La Liga këtë edicion janë realizuar hiç më pak se 49 gola.