Prishtina - Teteksi, një ndeshje që nuk do të harrohet kurrë!
Ndeshje që edhe sot përmendet nga dashamirët e vjetër të futbollit dhe ka qenë rrezik të mos zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, për shkak se fusha ishte e mbuluar befasisht nga trashësia e madhe e borës pikërisht në javën e parë të pranverës, 27 mars të vitit 1983.
Tifozët e Prishtinës nuk menduan as dy herë dhe futen në fushë, me duar e hoqën borën dhe e bënë gati atë për lojë!
Një mrekulli e paparë në atëkohë, që la pa fjalë një ish Jugosllavi!
27 mars, 1983
Prishtina - Teteksi 3:0
Stadiumi i Prishtinës.
Shikues: 20.000
Gjyqtar: Madiq (Shkupi), Stijaçiq (Beograd) Kërstiçiq (Beograd).
Shënues: Muriqi (15’), Vokrri (39’) dhe Rama (90’).
Prishtina: Kosta Llaliq 7, Mandiqi 7, Faton Domi 7, Ramadan Cimili 8. Petre Gruevski 8, Favzi Rama 8, Edmond Rugova 6, Faruk Domi 6 (Ramiz Krasniqi), Fadil Vokrri 9 (Ramadan Mehana), Agim Cana 7 dhe Fadil Muriqi 7.
Teteksi: Tomiqi 6, Radeviqi 7, Jovanoviq 7, Aleksiqi 6, Jakovleviqi 6, Pejanoviqi 6, Jordanovski 6, Cvetkoviq 6 (Behajdini), Niketiqi 6, Tasiqi 6 (Mazhuranovi) dhe Simovski 6.
Prishtina bëri lojë të madhe dhe e mposhti me rezultat të thellë 3:0 Teteksin e Tetovës, në derbin e madh të javës së 21-të të Ligës së Dytë të Ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes.
Djelmoshat e kryetrajnerit Bella Pallfi dhanë maksimumin, kënaqën mbi 20 mijë.
Futbollisti Fadil Muriqi e hapi serinë e golave në minutën e 15-të, për të vazhduar Fadil Vokrri në atë të 39-tën dhe Favzi Rama (90’).
Fadil Vokrri i pakapshëm në fushë, Fadil Muriqi si gjithmonë dirigjent, Favzi Rama luftarak, Faton Domi shtyllë e mbrojtjes, i përkrahur nga Ramadan Cimili e Petre Gruesvki, ndërsa Edmond Rugova, Faruk Domi e Agim Cana, luftonin me mish e më shpirt.
Pas javës së 21-të, Prishtina kryesonte me 28 pikë, e ndjekur nga Teteksi 28, Sutjeska 27, Bori 25, Trepça e Mitrovicës 24, Pelisteri 24, Napredaku 24, Liria e Prizrenit 22, Radniçki i Pirotit 21, Vëllaznimi i Gjakovës 21, Rad 19, Slloboda 19, Timoku 18,
Radniçki i Kragujevcit 18, Borci i Çaçakut 17, Doboçica 16, Llovçeni 14 dhe OFK Titogradi 13 pikë. Prishtina zuri vendin e parë me 49 pikë dhe siguroi hyrjen në elitë.