Kampioni kroat, Dinamo e Zagrebit, do të ndeshet me kampionin norvegjez Bodo Glimt, në ndeshjen e kthimit të fazës së play-off-it të edicionit të sivjetmë të Cjampions League.
Sonte (21.00) të kaltrit do të kenë për detyrë të përmbysin humbjen prej një goli (1:0) në Norvegji.
Kapiteni i gjigantit kroat, Arijan Ademi, para ndeshjes thotë se Bodo është një kundërshtar serioz dhe i vështirë, por besojnë se në fund do të kualifikohen në fazën e grupeve.
“Të gjithë e dijmë se çfarë na pret, e dijmë që përballë kemi një kundërshtar shumë të vështirë, të cilin e njohim shumë mirë.
Jemi gati dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë për ne. Ne duam fitore dhe kaq.
Për ne do të thotë shumë të luajmë në Champions League, besoj se do t'ia dalim”, thotë mes të tjera Ademi.
Ndeshja mes Dinamo Zagrebit dhe Bodo Glimt, luhet sonte në “Maksimir”.