Ferizaj ka arkëtuar vetëm një pikë nga 9 të mundshme në tre javët e para të elitës së futbollit të Kosovës.
Drejtuesit e klubit kërkojnë nga tifozët që t’i kursejnë lojtarët.
“Të nderuar tifozë të FC Ferizajt, ne e kuptojmë më së miri dashurinë tuaj për ekipin dhe ngjyrat kaltër e bardhë. Edhe atëherë kur humbja është e hidhur, e dhimbshme e që sigurisht se ngjallin reagime, ndoshta edhe në afekt.
Rezultati dje na hidhëroi e mërziti por, ne kemi para vetës shumë ndeshje tjera të rëndësishme.
Historia jonë as nuk ka filluar e as nuk mbaron me humbjen kundër KF Malishevës. Rrugëtimi ynë sa ka filluar, dorëzimi nuk është pjesë e ADN-së së këtij ekipi, e aq më pak i kryesisë që i qëndron prapa lojtarëve dhe stafit.
Prandaj, duhet të mësohemi edhe me humbjet. Lojtarët e kanë të nevojshme përkrahjen e juaj sepse ju jeni arsyeja se pse ata zbresin në fushë.
Në fund e kemi një lutje - të kursejmë lojtarët nga fjalët e vrazhda dhe që nuk i bëjnë nderë askujt. Fjalët fyese si çdo herë, do të largohen sepse nuk kanë vend në faqen tonë.
FC Ferizaj, vazhdojmë përpara”, reagon KF Ferizaj.