Nedim Bajrami është drejt fundit të aventurës me Empolin, por mesfushori ofensiv i kombëtares kuqezi do të vazhdojë karrierën në Serie A. Dy klube po garojnë për shërbimet e tij, por e ardhmja e lojtarit është vendosur.
23-vjeçarin nga Tetova e duan Fiorentina dhe Sassuolo. Vincenzo Italiano kërkon ta ketë në ekipin e tij, teksa të njëjtën dëshirë ka edhe Alessio Dionisi, trajneri i Sassuolos, i cili ka punuar me Bajramin gjatë periudhës që drejtoi Empolin.
Mediet italiane shkruajnë se lojtari shqiptar është më afër Fiorentinës, që të enjten siguroi kualifikimin në grupet e Conference League, aty ku bën pjesë në grupin A me Basaksehir (Turqi), Hearts of Midlothian (Skoci) dhe RFS (Letoni).
Garimi në Serie A, Kupën e Italisë dhe Europë, ndikon që Fiorentina të ketë një kontingjent sa më të pasur lojtarësh. Pas afrimit të Antonin Barak nga Hellas Verona është radha e Bajramit për t’u transferua në “Artemio Franchi”.
Dy klubet toskane kanë raporte shumë të mira mes tyre dhe për të siguruar shërbimet e Bajramit Fiorentina do të lejojë rikthimin e Szymon Zurkowski tek Empoli, teksa do të paguajë edhe 5-6 milionë euro.