Pas sulmuesit Milik, Juventusi ka mbyllur edhe operacionin Leandro Paredes. Mesfushori argjentinas do të huazohet nga PSG te bardhezinjtë e Allegrit, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit për 15 milionë euro, që mund të kthehet në detyrim blerjeje nëse plotësohen disa klauzola.
Merkato e Juventusit nuk do të mbyllet me Paredes, pasi po synohet edhe një anësor i majtë. Renan Lodi ka rënë si opsion, pasi Atletico Madrid e huazon vetëm me detyrim blerjeje.
Në listën e drejtuesve të Juventusit ndodhet edhe Sergio Reguilon.
Antonio Conte nuk e ka në plane 25-vjeçarin nga Madridi, i cili shpreson të gjejë një klub që luan në Champions League. Drejtuesit e Juves do të nisin bisedimet me Fabio Paraticin. Reguilon pritet të huazohet me të drejtë blerjeje për shumën e 20 milionë eurove.
Për lojtarin spanjoll interesohen edhe Lazio e Nottingham Forest. Alternativa e tretë për krahun e majtë të mbrojtjes është Juan Bernat, i cili ka humbur postin e titullarit te PSG.