Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 4-t në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Gjilani ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive, duke shënuar fitore në shtëpi në duel me Trepçën’89, me rezultat 3:1. Për Gjilanin kjo ishte fitorja e tretë në këtë edicion, krahas një barazimi dhe aktualisht me meritë kryeson renditjen me 10 pikë.
Deri te fitorja ndaj skuadrës së rikthyer në elitë, gjilanasit arritën me përmbysje të rezultatit. Në fakt, mitrovicasit kaluan të parët në epërsi me golin e shënuar nga Christian Mba, në minutën e 8-të. Ndërkohë, shifrat u barazuan në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, kur qendërmbrojtësi Augustin shënoi autogol. Për 2:1 u përkujdes Elton Cale në minutën e 48-të, ndërsa Mevlan Zeka në minutën e 65-të e vulosi fitoren për skuadrën gjilanase. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër,
Drenica ka shënuar fitore si mysafire në duel me Malishevën, me rezultat 2:1. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Arbios Thaqi, në minutën e 30-të dhe qendërsulmuesi Bintsouka Koxy, në minutën e 39-të.
E golin e vetëm për Malishevën realizoi Alban Shillova nga penalltia, në minutën e 60-të. Vendasit shënuan edhe një gol krejtësisht në fund të takimit, por pas rishikimit të sistemit VAR ai u shfuqizua.