Teuta dhe Bylis barazuan me rezultatin 1-1 në takimin e javës së dytë të Abissnet Superiore. Durrsakët morën pikën e parë në shtëpi, teksa duhet të presin ende për të marrë fitoren e patë. Në ndeshjen e luajtur në “Niko Dovana”, pjesa e parë ishte e kujdesshme me të dyja ekipet që u kujdesën për të mos pësuar, më shumë se për të shënuar.
Hebaj ishte lojtari më i rrezikshëm në radhët e “djemve të detit”, megjithatë Bylis ishte më e rrezikshme në mundësitë e saj. Pas minutës së 35-të, gjyqtari fillimisht akordoi një 11-metërsh për ballshiotët, por pas disa minutash pritje VAR ktheu vendimin.
Pak minuta para fundit të pjesës së parë, Bylis arriti që të gjente rrugën e rrjetës, me Antoni, i cili shfrytëzoi një top që nuk u largua nga durrsakët. Në pjesën e dytë, Teuta e rriti presionin, ndërsa Bylis u vendos mirë në fushë, duke u krijuar pak hapësira durrsakëve.
Djemve të detit iu desh që të prisnin deri në minutën e 77-të, kur Hebaj ia doli që të gjente rrugën e rrjetës, duke barazuar rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund. Bylis shkon në kuotën e 4 pikëve pas këtij barazimi, ndërsa Teuta merr pikën e parë këtë edicion të ri futbollitik.
Kastritoi barazoi pa gola në ndeshjen e zhvilluar në Kamëz. Skuadra krutane kishte federuar për këtë ndeshje të gjithë afrimet e verës dhe trajneri Emiljano Cela kishte mundësinë e zgjedhjes.
Vendasit ishin më kërkues, megjithatë rastet e rrezikshme ishin të pakta, në anën tjetër shijakasit tentonin përmes kundërsulmeve që të rrezikonin, megjithatë pa vënë në provë serioze portierin e Kastriotit. Katër minuta para fundit të pjesës së parë mundë të veçohet një goditje nga distanca e Ajazit, por Xhika mbajti të paprekur portën e Erzenit.
Në pjesën e dytë dominuan duelet e ashpra dhe përplasjet mes lojtarëve të të dyja ekipeve, por pa prodhuar mundësi që mund të ndryshonin fatin e kësaj sfide. Kastrioti merr pikën e parë për këtë edicion, duke lënë vendin e fundit, së paku për momentin.
Erzeni shkon në kuotën e katër pikëve, duke konfirmuar nisjen pozitive të këtij edicioni, teksa pas triumfit me Vllazninë javën e shkuar arrin që të barazojë në transfertën e Kamzës dhe aktualisht e sheh veten në vendin e parë të renditjes.