Portieri i Monakos, Aleksandër Nybel, ka dashur të prishë qetësinë te Bajernit të Mynihut.
25-vjeçari është në pronësi të bavarezëve deri në vitin 2025, por ndërkohë luan i huazuar në Principatën e Monakos.
Duke parë cilësitë dhe ofertat e fundit që ka në drejtim të gjermanit, agjentët e kanë detyruar Aleksandër Nybelin që të hidhet në kundërsulm të drejtuesve bavarezë dhe t’i kërkojë garanci teknike për të ardhmen, ndryshe është e kotë që të presë Nojerin në Mynih. U tha, u bë, me Nybelin që nuk ka pasur frikë të ngrejë publikisht zërin:
“Nëse Nojer vazhdon të jetë titullari i portës së Bajernit, nuk kam ndërmend që të rikthehem.
Duhet gjetur zgjidhja më e mirë e mundshme, përndryshe është e kotë që të kthehem sa për të ngrohur stolin”.
Nga mediat, analistët gjermanë dhe shtypi francez, Aleksandri shihet si zëvendësuesi i denjë për portën bavareze.
Tani mbetet për t’u parë se si do të veprojnë drejtuesit në “Allianz Arena” verën e ardhshme, aty ku Manuel Nojer është kthyer në një mit të pandryshueshëm, pavarësisht moshës 36-vjeçare.