Roma shkëlqeu mbrëmjen e së martës në Olimpico teksa mposhti me rezultatin 3-0, Monzën. Protagonist kryesor në triumfin e verdhekuqve ishte Paulo Dybala i cili shënoi një dygolësh ndërsa preku edhe kuotën e 100 realizimeve në Serie A. Në momentin e zëvendësimit, kamerat në Romë, regjistruan një episod interesant me argjentinasit dhe trajnerit Jose Mourinho. Pas sfidës, tekniku portugez zbuloi edhe bisedën mes palëve e cila në fakt lidhej me sezonin e kaluar kur Dybala ishte pjesë e Juventus.
“Në sezonin e shkuar, kur Dybala luante me Juventusin ai u zëvendësua dhe unë e ndalova për t’i thënë se sa i zoti ishte.
Bëra të njëjtën gjë kur e zëvendësova, e komplimentova sepse është një futbollist kalibri. Në rastin e tij, talenti vendoset në shërbim të skuadrës dhe nuk është i izoluar nga pjesa tjetër. Bën një punë të jashtëzakonshme edhe në fazën defensive, ka një histori të komplikuar nga dëmtimet e sezoneve të fundit, por Paulo po rritet. Ndoshta edhe trajneri argjentinës Scaloni më detyrohet një shishe verë pasi për Botërorin do t’i dhuroj një lojtar në formën më të mirë”, tha Mourinho.
Në fund, luzitani u ndal edhe te merkato teksa shprehet se nuk ka kurajon t’i këkrojë klubit edhe një tjetër përforcim, këtë herë në mbrojtje.
“Nuk kam kurajon t’i bëj presion drejtorit për një mbrojtës. Nuk do të ngul këmbë dhe as nuk do të shfaqem në Instagram për të kërkuar mbrojtës, sepse mesa duket Fair Play financiar ekziston vetëm për skuadrën tonë dhe jo për tjerët. Gjithsesi, po bëjmë një punë të mirë.
Nëse Wijnaldum nuk do të dëmtohej, atëherë do të vinte edhe një mbrojtës. Shoqëria e di që duhet një mbrojtës, por më paguajnë që të gjej zgjidhje. Ndoshta Vina dhe Karsdrop mund të provojnë të luajnë në qendër”, përfundoi Mourinho.