KF Gostivari u konsiderua si favoriti kryesor për hyrje në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Skuadra ambicioze e kategorisë së dytë bëri një skuadër solide, por duke u nisur nga informacionet e publikuara në faqen ku klubi çdo ditë publikonte informacione, atëherë gjërat nuk janë mirë.
Në faqen zyrtare në Facebook, fillimisht u publikua lajmi se investitorët nga Turqia po largohen nga klubi, ndërsa vetëm pak minuta më vonë u shfaq lajmi se trajneri Oktay Dereioglu kishte dhënë dorëheqjen.
Ajo që është bërë e ditur është se trajneri nuk do të drejtojë seancat stërvitore nga nesër. Është interesante se Gostivari e nisi mirë sezonin, me dy fitore në dy takime në ligën e dytë dhe tani e ardhmja e klubit është e pasigurt, ndonëse në fillim të sezonit u premtua shumë.
Jozyrtarisht bëhet fjalë për një konflikt mes mbështetësve të klubit dhe investitorëve nga Turqia. Më shumë informacion mbi këtë temë priten së shpejti...