Shefiti: Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë

Futboll

Shefiti: Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 11:18
Shefiti: Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë

Kryesia e FC Prishtinës nuk e ka mbyllur “kuletën” sa i përket transfereve cilësore në afatin kalimtar të verës.

Një nga dëshirat e kësaj vere të trajnerit Ismet Munishi ka qenë edhe sulmuesi i krahut, Shefit Shefiti.

24-vjeçari shqiptar nga Tetova e Maqedonisë së Veriut vjen te Prishtina nga skuadra shqiptare Renova e Xhepçishtit, klub i cili është shuar për shkaqe financiare.

Shefiti ka luajtur me shumë sukses te Renova duke marrë pjesë me këtë ekip edhe në garat evropiane.

Para Renovës, Shefiti ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës për katër edicione derisa i ka fituar edhe dy tituj kampion dhe një Kupë të Maqedonisë së Veriut.

Shefiti konsiderohet si futbollist me shumë potencial e vlerat e tij kanë rënë në sy edhe të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit ku vite më parë ka qenë e Kombëtares "kuqezi" (U-21).

Pas testeve mjekësore të kryera me sukses, nënshkrimit të kontratës 1-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për 1-vit tjetër me Prishtinën, Shefiti është njohur me ambientet e stadiumit 'Fadil Vokrri" dhe është prezantuar edhe me futbollistët e më pas i ka filluar stërvitjet derisa e ka dhënë edhe një intervistë për faqen zyrtare të klubit duke u shprehur i lumtur që është bërë “bardhekaltër”.

"Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë dhe e kam gjetur një kolektiv shumë të mirë. Besoj shumë se do të kemi suksese drejt qëllimeve që i ka klubi.

Është kënaqësi dhe nder të bartësh fanellën e klubit më të madh në Kosovë. Kjo fanellë duhet mbrojtur me sukses andaj duhet dhënë maksimumin.

 Synimet me Prishtinën janë titulli kampion dhe pjesëmarrja në garat evropiane.

“Plisat” janë tifozët më të mirë në Kosovë andaj ju premtoj më të mirën time për këtë fanellë që kryeqytetin ta nderojmë me suksese", tha Shefiti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat