Nesër mbrëma në ‘San Siro’ do të luhet derbi më i madh italian.
Dy rivalët e përbetuar, Milan dhe Inter do të përplasen në sfidën kryesore të kësaj fundjave në Itali.
Duelet mes ‘Rossonerëve’ dhe ‘Nerazurëve’ gjithnjë kanë prodhuar sfida tejet të forta, e një e tillë pritet të jetë edhe nesër mbrëma në ‘tempullin’ e stërmbushur në ‘San Siro’.
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli duke folur në konferencën për media, tha se ndaj Interit do të jetë një Milan tjetër.
“E thash dhe pas ndeshjes me Sassuolon se në derbi ne do të shohim një Milan tjetër. Ne do të provojmë idetë tona me më shumë forcë, më shumë energji dhe më shumë kualitet. Kështu vendosen ndeshjet e mëdha”, tha Pioli.
Tekniku italian mendon se ky sezon në Serie A është një më i balancuar.
“Është një ligë shumë e balancuar. Këtu ka shumë skuadra që mund të fitojnë. Është e mundur që Interi do të luajë me të njëjtën skuadër si vitin e shkuar. Pres një duel me shumë energji dhe duele”, theksoi ai.
Optimist për një rezultat pozitiv në duelin Milan-Inter është shprehur edhe trajneri i internistëve, Inzaghi.
“Duelet individuale do të jenë shumë të rëndësishëm, ne e dimë se çfarë përfaqëson një derbi, si për klubin tonë ashtu edhe për tifozët tanë. Skuadra bën mirë, është rikuperuar”, tha Inzaghi.
Derbi mes Milanit dhe Interit nis në orën 18:00.